Categories
Uncategorized

Pas presidentes Osmani, rezoluta e Shqipërisë kundër Dick Martyt i dhemb edhe ministres Albulena Haxhiu

Presidentja dhe Qeveria e Kosovës e kanë lënë të vetëm Republikën e Shqipërisë në betejën për të shfuqizuar raportin skandaloz dhe trillues të ish-senatorit zviceran, Dick Martyt, përkundër që hetimet ndërkombëtare kanë vërtetuar se nuk qëndrojnë pretendimet e këtij raporti për trafikim të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri.

Vetëm një ditë pasi presidentja Osmani nuk gjeti forcën ta përshëndeste Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë, e cila si asnjëherë më parë bëri bashkë votat e deputetëve të PS-së dhe PD-së, në sinkron me të është përgjigjur edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shkruan Demokracia.com.

Në vend të një mbështetjeje të hapur, pasi Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë synon të heq njollën që rëndon mbi kombin shqiptar, pasi edhe hetimet ndërkombëtare kanë ardhur në përfundim se nuk ka pasur trafikim të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri, ministrja Albulena Haxhiu ka treguar se sa shumë i dhemb rruga që ka nisur Shqipëria, pasi ka dhënë një përgjigje pa e pyetur askush.

“Ne e kemi gjetur Gjykatën Speciale si fakt të kryer. Përgjegjës nuk mund të mbahemi ne, përgjegjës duhet të mbahen ata që ia kanë ndrydhur duart deputetëve në kohën kur u themelua. Ata janë që po hedhin tym, por duhet të japin përgjegjësi”, ka thënë Haxhiu, e cila shtoi se është ende herët për të thënë nëse rezoluta e miratuar në Kuvendin e Shqipërisë do të prodhojë ndonjë rezultat.

Qëndrim të tillë, jo-mbështetës për Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë, ka dhënë një ditë më herët edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Në konferencën e saj të përbashkët me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, ajo ka sulmuar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

“Ne nuk harrojmë sado që dikush mund ta ketë një dëshirë të tillë se kush insistonte më së shumti dhe kush bënte presion më së shumti që të themelohej Gjykata Speciale para disa vitesh nuk e harrojmë sado që dikush mund të ketë një dëshirë të tillë”, ka thënë ajo.

Më 21 korrik 2022, Kuvendi i Shqipërisë, me 125 vota ‘Për’ ka miratuar Rezolutën mbi “Pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e organeve në Shqipëri dhe Kosovë”.

Gjatë debatit në Kuvend, kryeministri Edi Rama ka thënë se kjo nuk është një rezolutë e zakonshme.

“Është rezolutë ndryshe nga të tjerat, sepse është fillimi i një rruge që do të shkojë në Strasburg. Kjo rezolutë synon të lëvizë Këshillin e Europës”, ka thënë Rama.

“Dick Marty nuk është më anëtar i Asamblesë [Parlamentare të Këshillit të Evropës]. Ne nuk e kemi fare me Dick Martyn. Ne tash e kemi me reputacionin dhe dinjitetin e një Asambleje në Këshillin e Evropës, e cila është çuar dhe e ka votuar atë. Në rregull, e kanë votuar se kanë menduar se duhet të hetohet. Ky proces hetimesh nuk ka sjellë asnjë drejtësi për viktimat e presupozuara, por ka bërë viktima figurat kryesore të UÇK-së, sepse i tillë ka qenë edhe qëllimi… ka bërë viktimë botërore Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës – një nga momentet më të rëndësishme të krenarisë kombëtare të shqiptarëve”, ka thënë Rama. /Demokracia.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published.