Punonjësit e shëndetësisë në njërën nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, janë paralajmëruar këtë javë se nuk mund t’i shfrytëzojnë pushimet e tyre vjetore në periudhën e ardhshme, me arsyetimin e situatës së “paqendrueshme politike”.
I njëjti paralajmërim verbal është dhënë për institucionet tjera në këtë pjesë të Kosovës, të cilat i financon Serbia. “Të gjithë jemi të çuditur”, tha një mjek për Radio Evropa e Lirë. “Njerëzit kanë paguar mijëra euro për aranzhimet verore”, shton ai. Personi insistoi që të mbetej anonim për shkak të frikës se mund ta humbte vendin e punës.